Në qytetin Lagos të Nigerisë ndodhet Makoko, një vendbanim i pazakontë i njohur si “Venecia e Afrikës”. Por, ndryshe nga qyteti romantik italian, jeta këtu është shumë e vështirë.
Banorët jetojnë në shtëpi prej druri të ndërtuara mbi ujë, ndërsa varkat janë mjeti kryesor i transportit dhe tregtisë. Uji i lagunës është vetëm një deri në dy metra i thellë, por aq i ndotur sa fundi i tij nuk shihet.
Varfëria, mungesa e energjisë elektrike, kushtet e dobëta higjienike dhe ndotja janë pjesë e përditshmërisë së banorëve.
Pavarësisht vështirësive, komuniteti vazhdon të mbijetojë falë solidaritetit. Makoko tërheq edhe turistë kureshtarë, megjithëse turizmi sjell pak përfitime për banorët.
Në vitin 2012, shembja e një pjese të shtëpive la rreth 3 mijë njerëz pa strehë. Sot, e ardhmja e këtij vendbanimi mbetet e pasigurt.


