Superylli i muzikës, Beyoncé, ka zbuluar një detaj emocional nga dasma e saj me reperin Jay-Z, duke treguar se fustani i nusërisë mbetet veshja më e veçantë që nëna e saj, Tina Knowles, ka krijuar ndonjëherë për të.
Në një intervistë këngëtarja 45-vjeçare ka treguar se, pavarësisht mundësisë për të zgjedhur krijime nga stilistët më të njohur në botë, ajo kishte vendosur të vishte një fustan të realizuar nga nëna e saj.
“Fustani im i preferuar që ka dizajnuar nëna ishte fustani i nusërisë. Ishte jashtëzakonisht i thjeshtë dhe i krijuar me dashurinë e saj”, ka rrëfyer Beyoncé.
Këngëtarja ka zbuluar gjithashtu se dasma e saj me Jay-Z, e mbajtur më 4 prill 2008 në shtëpinë e tyre në Nju Jork, ishte organizuar në fshehtësi të plotë.
Të ftuarve u ishte thënë se po merrnin pjesë në një festë të zakonshme, ndërsa vetëm prindërit dhe disa miq të afërt e dinin se bëhej fjalë për një ceremoni martesore.
Fustani i bardhë, pa rripa dhe me një dizajn elegant, ishte punuar nga Tina Knowles, e cila ndër vite ka krijuar edhe shumë prej veshjeve skenike të vajzës së saj.
Për Beyoncé, megjithatë, vlera e këtij fustani nuk qëndronte te fama apo çmimi, por te dashuria dhe lidhja e veçantë me nënën.
Edhe pas 18 vjetësh martesë, këngëtarja vazhdon ta konsiderojë atë si një nga kujtimet më të çmuara të jetës së saj.


