Një ankand me 285 sende personale të Brigitte Bardot ka sjellë plot 953,531 euro, pothuajse 20 herë më shumë se vlera e parashikuar prej rreth 50 mijë eurosh. Në ankandin e mbajtur në Paris u ofruan kapele kashte, syze dielli, veshje, mobilie dhe sende të tjera nga shtëpitë e saj në Saint-Tropez dhe apartamenti në Paris.
Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, me rreth 3,000 ofertues nga Franca dhe vende të tjera. Dy qafore të qenve të saj, të vlerësuara fillimisht vetëm 30 euro, arritën çmimin 9,400 euro, ndërsa një autoportret i Bardot u shit për afro 40 mijë euro. Makina e shkrimit që ajo përdori për autobiografinë e saj u shit për 4,634 euro.
Të ardhurat nga ankandi do t’i shkojnë Fondacionit Brigitte Bardot për mbrojtjen e kafshëve dhe djalit të saj të vetëm, Nicolas-Jacques Charrier.


