Dieta ketogjenike, e njohur për kufizimin e karbohidrateve dhe konsumimin e lartë të yndyrave, përdoret shpesh për humbjen e peshës. Megjithatë, një studim i ri nga Universiteti i Cincinnatit në SHBA ka zbuluar se disa lloje yndyrash në këtë dietë mund të nxisin inflamacionin në organizëm, në vend që ta zvogëlojnë atë.
Studiuesit zbuluan se yndyrat e ngopura me zinxhir të gjatë, që gjenden në ushqime si gjalpi dhe mishi me shumë yndyrë, mund të aktivizojnë reagime inflamatore të sistemit imunitar. Ndërkohë, yndyrat e pangopura, si ato që gjenden në vajin e ullirit, arrat dhe avokadoja, nuk shkaktuan të njëjtin reagim në eksperimentet laboratorike.
Shkencëtarët theksojnë se nuk ka rëndësi vetëm sa yndyrë konsumojmë, por edhe çfarë lloji zgjedhim. Megjithatë, rezultatet bazohen në eksperimente me minj dhe qeliza laboratorike, prandaj nevojiten studime te njerëzit për të konfirmuar ndikimin në shëndet.


