Ish-futbollisti i famshëm David Beckham është përfshirë në një betejë gjyqësore me kompaninë e kozmetikës Coty, nga e cila kërkon të paktën 41 milionë dollarë dëmshpërblim. Shkak janë bërë pretendimet se parfumet me emrin e tij, të promovuara si produkte luksoze, janë shitur në pika karburanti dhe dyqane me çmime të ulëta.
Sipas padisë së kompanisë së Beckhamit, DB Ventures, parfumet janë gjetur edhe në rrjetin britanik Poundland, gjë që pretendohet se ka dëmtuar imazhin prestigjioz të markës. Përfaqësuesit e tij argumentojnë se shitja e produkteve në vende të tilla bie ndesh me marrëveshjen e licencimit.
Nga ana tjetër, Coty i kundërshton akuzat dhe ka kërkuar që gjykata ta rrëzojë padinë. Kompania pretendon se ka respektuar të drejtat e saj kontraktuale dhe se mosmarrëveshja lidhet edhe me përfundimin e bashkëpunimit mes palëve. Çështja mbetet në shqyrtim gjyqësor.


