Çarçafë të pastër dhe të freskët na japin ndjesinë e rehatisë dhe sigurisë. Por pyetja është: a i lajmë mjaftueshëm shpesh? Sipas ekspertëve, higjiena e shtratit është shumë më e rëndësishme sesa mendojmë.
Një studim i vitit 2022 tregoi se vetëm 28% e britanikëve i lajnë çarçafët një herë në javë. Mikrobiologia Primrose Freestone thekson se zakonet e rralla të larjes mund të krijojnë kushte ideale për baktere, kërpudha dhe marimanga pluhuri.
Gjatë gjumit, trupi ynë lëshon qindra mijëra qeliza të vdekura të lëkurës. Përveç kësaj, djersijmë, sekretojmë yndyrë nga gjëndrat e lëkurës dhe bartim me vete baktere e kërpudha natyrale të trupit.
Edhe nëse bëni dush para gjumit, gjatë natës djersa dhe mikrobet përhapen në çarçafë, jastëkë dhe mbulesa. Vetë djersa nuk ka erë, por bakteret veçanërisht stafilokokët e shpërbëjnë atë duke krijuar aromë të pakëndshme.
Qelizat e vdekura të lëkurës janë ushqim për marimangat e pluhurit. Nëse shtoni edhe lagështinë nga djersa, krijohet një mjedis perfekt për shumimin e tyre.
Në jastëkët e përdorur janë zbuluar edhe lloje kërpudhash si Aspergillus fumigatus, që mund të shkaktojnë probleme serioze tek personat me sistem imunitar të dobësuar. Nëse flini me kafshë shtëpiake, rreziku rritet për shkak të qimeve, papastërtive dhe mikrobeve shtesë.
Sipas rekomandimeve të ekspertëve:
Çarçafët dhe jastëkët: një herë në javë
Gjatë sëmundjes: çdo 3 deri 4 ditë
Dysheku: të pastrohet me fshesë me korrent një herë në javë dhe të ajroset rregullisht
Mbulesat dhe këllëfët e jorganëve: çdo dy javë (më shpesh nëse ka kafshë)
Jorganët: çdo 3 deri 4 muaj
Mbushjet e jastëkëve: çdo 4 deri 6 muaj
Një shtrat i pastër nuk ndikon vetëm në komoditet, por edhe në cilësinë e gjumit dhe shëndetin e përgjithshëm. Higjiena e rregullt mund të zvogëlojë alergjitë, irritimet e lëkurës dhe rrezikun e infeksioneve respiratore.


