Punonjësit e gjigantit amerikan të tregtisë elektronike Amazon kanë nisur protesta dhe greva në mbi 20 shtete, duke kërkuar paga më të larta, kushte më të mira pune dhe njohjen e kontratave kolektive. Protestat zhvillohen për të shtatin vit radhazi gjatë Black Friday, nën sloganin “Make Amazon Pay”.
Në Gjermani, sindikatat kanë bërë thirrje për greva në 11 qendra të Amazon, ndërsa në Indi janë organizuar protesta në të paktën 23 lokacione. Në disa vende, protestat do të vazhdojnë deri më 30 nëntor, gjatë Cyber Monday, një nga ditët më të rëndësishme të shitjeve për kompaninë.
Amazon ka kundërshtuar pretendimet e protestuesve, duke deklaruar se ofron paga të mira, përfitime dhe kushte të sigurta pune. Kompania punëson drejtpërdrejt mbi 1,5 milion njerëz në mbarë botën, prej të cilëve mbi 230 mijë në Evropë.


