Kalimi nga vera në vjeshtë dhe ndryshimet e menjëhershme të temperaturës mund të shkaktojnë lodhje, përgjumje dhe vështirësi në përshtatjen e organizmit. Kardiologu shpjegon se shqetësimet janë më të theksuara kur temperatura ndryshon ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër dhe shoqërohet me ndryshime të presionit atmosferik. Veçanërisht të kujdesshëm duhet të jenë personat me hipertension, sëmundje kronike dhe ata që kanë kaluar më parë infarkt.
Ftohja e papritur mund të shkaktojë ngushtimin e enëve të gjakut dhe rritjen e tensionit. Dhimbja në mes të gjoksit që përhapet drejt nofullës ose shpatullës, shoqërohet me shtrëngim, djegie apo rëndesë dhe zgjat më shumë se disa minuta kërkon kontakt të menjëhershëm me mjekun ose urgjencën. Kardiologu këshillon gjithashtu që terapia të mos ndryshohet pa konsultim me mjekun, ndërsa gjumi i mjaftueshëm, aktiviteti fizik dhe ushqimi i përshtatshëm mund ta ndihmojnë organizmin gjatë ndryshimit të stinëve.


