Një ngjarje e veçantë është regjistruar në Kopshtin Zoologjik të Chester në Angli, ku ka ardhur në jetë një rinoceront i rrallë indian. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur rinocerontja Asha solli në jetë këlyshin e saj pas 15 muajsh shtatzënie. Pamjet tregojnë edhe hapat e parë të të voglit, i cili fillimisht lëviz me pasiguri, por gradualisht fiton qëndrueshmëri pranë nënës së tij.
Sipas kujdestarëve të kopshtit zoologjik, si nëna ashtu edhe këlyshi janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ky është këlyshi i katërt i Ashës dhe partnerit të saj Benny, i cili ngordhi në fillim të këtij viti pas një sëmundjeje të papritur. Lindja konsiderohet një lajm i rëndësishëm për përpjekjet për ruajtjen e rinocerontit indian, një specie që vazhdon të përballet me rreziqe në natyrë.


