Në ishullin grek Thasos, një nga destinacionet më të njohura të verës në Egje, ndodhet një nga mrekullitë më të veçanta natyrore të Mesdheut, Giola, e njohur edhe si “Loti i Venusit”. Ky formacion shkëmbor, i lidhur me detin përmes një kanali të ngushtë, krijon një pishinë natyrore me ujë të kristaltë që të lë pa fjalë.
Sipas legjendës, pishina u krijua nga Zeusi që perëndesha e dashurisë, Venusi (Afërdita), të mund të lahej aty në privatësi. Për shkak të formës së saj karakteristike dhe bukurisë së rrallë, Giola është kthyer në një nga atraksionet më të vizituara të Thasosit. Pishina natyrore është rreth 20 metra e gjatë dhe komunikon drejtpërdrejt me detin, duke rinovuar vazhdimisht ujin e saj.
Në Giola nuk ka plazh me rërë, por shkëmbinj të lëmuar ku vizitorët bëjnë banja dielli ose hidhen në ujë nga lartësi që arrijnë deri në tetë metra. Për shkak të mungesës së hijes, rekomandohet që vizita të bëhet herët në mëngjes ose në orët e vona të pasdites, kur temperaturat janë më të ulëta dhe ka më pak vizitorë.
Për të arritur në këtë perlë natyrore, vizitorët mund të shkojnë me makinë deri në zonën e Astris, pranë Limenarias dhe më pas të ecin disa minuta drejt bregut. Gjithashtu, gjatë sezonit veror organizohen edhe ture me varka nga Potos dhe Limenaria, të cilat ndalojnë pranë Giolës.


