Një juri federale në Nju Jork ka shpallur fajtore kompaninë kineze të teknologjisë Huawei Technologies për 10 nga 12 pikat e aktakuzës, përfshirë komplotin për vjedhjen e sekreteve tregtare, mashtrimin bankar dhe shkeljen e sanksioneve amerikane.
Megjithatë, juria e ka liruar kompaninë nga akuza më e rëndë, ajo e përfshirjes në një komplot të krimit të organizuar. Avokatët e Huawei kanë kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se suksesi i kompanisë është ndërtuar mbi inovacionin, punën dhe konkurrencën në treg. Kompania ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin.
Huawei mund të përballet me gjoba prej miliarda dollarësh, ndërsa masa e dënimit pritet të përcaktohet në shtator të vitit 2027. Pavarësisht kufizimeve amerikane, kompania vazhdon të ketë një prani të fuqishme në tregun global, duke zgjeruar aktivitetin edhe në prodhimin e çipave për inteligjencën artificiale.


