Shkencëtarët kanë zbuluar në një shtresë të thellë akulli në një shpellë në Rumani një bakter rreth 5.000 vjeçare, e cila rezulton rezistente ndaj 10 antibiotikëve modernë. Zbulimi mund të ndihmojë në kuptimin e përhapjes së rezistencës antimikrobike – një nga kërcënimet më serioze globale për shëndetin publik.
Bëhet fjalë për bakterin Psychrobacter SC65A.3, i izoluar nga shpella akullnajore Skerișoara – një nga më të mëdhatë dhe më të vjetrat në Evropë, me një bllok akulli rreth 13.000 vjeçar.
Sipas studiuesve, ky soj përmban mbi 100 gjene të lidhura me rezistencën, duke treguar se aftësia e baktereve për t’iu rezistuar antibiotikëve nuk është fenomen modern, por është zhvilluar natyrshëm mijëra vite përpara përdorimit të tyre në mjekësi.
Testet laboratorike treguan se bakteri ishte rezistent ndaj antibiotikëve që sot përdoren për trajtimin e sëmundjeve serioze si tuberkulozi, infeksionet urinare dhe koliti.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe shkrirja e akullit mund të çlirojnë mikroorganizma të lashtë – bashkë me gjenet e tyre të rezistencës – duke e bërë më të vështirë luftën kundër infeksioneve.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto baktere prodhojnë edhe enzima dhe substanca antimikrobike unike, të cilat mund të shërbejnë si bazë për zhvillimin e antibiotikëve të rinj dhe inovacioneve bioteknologjike.
Gjenomi i bakterit përmban qindra gjene me funksione ende të panjohura, të cilat mund të hapin rrugë për zbulime të reja në mjekësi dhe biologji.
Rezultatet janë publikuar në revistën shkencore Frontiers in Microbiology, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se rezistenca ndaj antibiotikëve është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore globale.


