Një botë e panjohur nëntokësore po zbulohet nën Aja Sofinë (Hagia Sophia), një nga monumentet më të famshme historike të Stambollit. Gjatë punimeve të restaurimit, arkeologët kanë identifikuar nëntë tunele dhe gjashtë hapësira nëntokësore, duke pastruar deri tani rreth 420 metra kalime të mbuluara prej shekujsh. Disa prej strukturave mund të jenë edhe më të vjetra se ndërtesa aktuale, e ndërtuar në shekullin VI.
Për të zbuluar këto hapësira, ekipet kanë larguar afro 3 mijë tonë dhe, baltë dhe mbetje ndërtimore. Sipas studiuesve, tunelet mund të kenë shërbyer për furnizimin me ujë dhe kullimin e ujërave të shiut në Kostandinopojën e lashtë. Një prej tyre duket se shtrihet drejt Cisternës së Bazilikës, ndërsa një tjetër mund të ketë lidhje me rrugët e periudhës romake. Megjithatë, funksioni dhe mosha e saktë e strukturave ende po hetohen.
Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, ka bërë të ditur se po shqyrtohet mundësia që disa nga tunelet të hapen për vizitorët. Përpara kësaj, ekspertët duhet të sigurojnë që strukturat janë të qëndrueshme dhe të sigurta. Zbulimi mund të hedhë dritë mbi historinë e fshehur të Stambollit, duke zbuluar mënyrën si funksiononte infrastruktura e qytetit shumë shekuj më parë.


