Seriali i suksesshëm The White Lotus po rikthehet me sezonin e katërt, dhe deri tani dihet se ngjarjet do të zhvillohen në Francë, në Rivierën Franceze. Xhirimet pritet të nisin në prill 2026 dhe të zgjasin deri në tetor, ndërsa një nga lokacionet kryesore do të jetë një rezidencë luksoze në Saint-Tropez. Krijuesi Mike White ka paralajmëruar se sezoni i ri do të sjellë përsëri dramë, tension dhe si zakonisht një mister vdekjeje.
Sa i përket historisë, sezoni i katërt do të fokusohet në temën e famës dhe nevojës për vëmendje, duke eksploruar dallimin mes dashurisë reale dhe kërkimit për aprovimin e publikut. Në kast priten emra të njohur si Helena Bonham Carter, Steve Coogan dhe Vincent Cassel, duke rritur edhe më shumë pritshmëritë për një tjetër sezon të mbushur me intriga dhe luks.


