Ulja e temperaturave shkakton ngushtimin e enëve të gjakut dhe rritjen e tensionit arterial, duke shtuar rrezikun e infarktit të zemrës dhe goditjes në tru. Një analizë e studimeve, e publikuar në vitin 2023 në revistën “Frontiers in Cardiovascular Medicine”, tregoi se valët e të ftohtit shoqëroheshin me një rritje prej 32% të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Dhimbja ose shtrëngimi në gjoks, vështirësitë në frymëmarrje, djersitja e ftohtë, marramendja dhe dhimbjet që përhapen drejt krahëve, shpinës apo nofullës janë disa nga shenjat paralajmëruese të infarktit. Ndërkohë, mpirja e njërës anë të fytyrës, dobësia e krahut dhe vështirësitë në të folur mund të tregojnë një goditje në tru. Në këto raste duhet të kontaktohet menjëherë urgjenca, edhe nëse simptomat zhduken.
Ekspertët rekomandojnë veshjen e ngrohtë me disa shtresa, shmangien e sforcimeve të tepërta fizike në të ftohtë dhe kufizimin e konsumit të alkoolit. Kujdes të veçantë duhet të tregojnë personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni.


