Stevie Wonder ka njoftuar një turne të ri ndërkombëtar për të festuar 50-vjetorin e albumit legjendar “Songs in the Key of Life”, të publikuar në vitin 1976. Gjatë koncerteve, artisti 76-vjeçar do ta interpretojë albumin e famshëm në tërësi, përfshirë hitet “Isn’t She Lovely”, “I Wish” dhe “Sir Duke”.
Turneu nis më 13 tetor në Birmingham, për të vazhduar në Paris, Kopenhagë, Oslo, Stokholm, Hanover, Këln, Amsterdam, Dublin, Londër, Manchester dhe Glasgow. Më pas Wonder do të udhëtojë drejt SHBA-së, me koncerte në New York, Chicago, Washington dhe Detroit, ndërsa turneu përfundon më 19 dhjetor në Los Angeles.
“Songs in the Key of Life” konsiderohet një nga albumet më të rëndësishme të karrierës së Stevie Wonder dhe i solli atij çmimin Grammy për Albumin e Vitit.


