Nëse dita juaj nis me një filxhan kafe, lajmi është inkurajues. Një studim i madh tregon se dy deri në tre filxhanë kafe në ditë mund të ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës dhe në uljen e rrezikut për zhvillimin e demencës.
Hulumtuesit analizuan të dhënat e mbi 130 mijë profesionistëve shëndetësorë, të ndjekur për rreth 43 vite. Rezultatet treguan se personat që konsumonin më shumë kafe kishin 18% më pak rrezik për demencë krahasuar me ata që pinin shumë pak. Edhe konsumuesit e çajit shfaqën një rrezik më të ulët, rreth 16%.
Pse ndikon kafeina?
Sipas studiuesve, kafeina mund të reduktojë proceset inflamatore në tru dhe të ngadalësojë grumbullimin e proteinave të dëmshme (amiloid beta), të lidhura me demencën.
Interesant është fakti se kafeja dhe çaji pa kafeinë nuk treguan efekt mbrojtës, duke sugjeruar se pikërisht kafeina është përbërësi kyç.
Çelësi është moderimi
Efekti më i dukshëm u pa tek ata që konsumonin sasi të moderuara. Konsumi i tepërt nuk solli përfitime shtesë, çka tregon se balanca është thelbësore.
Ekspertët theksojnë se rezultatet janë premtuese, por duhet interpretuar me kujdes. Studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt se kafeina është shkaku i vetëm i rrezikut më të ulët.


