Për shumë vite besohej se mënyra më e mirë për të pasur më shumë energji ishte thjesht të flinim më gjatë. Megjithatë, studimet e reja sugjerojnë se kohëzgjatja e gjumit nuk është gjithmonë faktori më i rëndësishëm.
Sipas studiuesve, një rol të madh luan perceptimi ynë për gjumin, pra mënyra se si ne besojmë se kemi fjetur. Nëse jemi të bindur se kemi pushuar mirë, shpesh ndjehemi më energjikë gjatë ditës.
Ky fenomen lidhet me të ashtuquajturin efekt placebo, ku mënyra e të menduarit mund të shkaktojë ndryshime reale fizike në trup.
Studiuesit kanë zbuluar se aktiviteti fizik pozitiv gjatë ditës mund të përmirësojë perceptimin tonë për gjumin pothuajse sikur të kishim fjetur një orë më shumë.
Profesorja e psikologjisë Nicole Tang nga Universiteti Warwick shpjegon se shumë njerëz janë të bindur se e dinë saktësisht se si kanë fjetur, por kjo ndjenjë shpesh ndryshon gjatë ditës.
Në një studim ku morën pjesë 119 të rritur, pjesëmarrësit vlerësonin çdo dy orë cilësinë e gjumit të natës së kaluar. Rezultatet treguan se më shumë se 90% e tyre ndryshuan vlerësimin të paktën një herë gjatë ditës.
Kur ata angazhoheshin në aktivitet fizik ose ndiheshin më mirë emocionalisht, vlerësimi i tyre për gjumin bëhej më pozitiv.
Në një studim tjetër me rreth 100 pjesëmarrës, studiuesit analizuan se si njerëzit që flinin mirë dhe ata që kishin probleme me gjumin e vlerësonin natën e kaluar.
Nëse njerëzit janë të bindur se kanë fjetur keq, ata shpesh ndihen edhe më të lodhur, edhe nëse gjumi ka qenë relativisht i mirë.


