Selena Gomez është fituesja e parë e çmimit “Beauty Impact” të revistës People, për kontributin e saj në ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e shëndetit mendor. Fondi “Rare Impact”, i krijuar në kuadër të kompanisë së saj Rare Beauty, ka mbledhur mbi 30 milionë dollarë për organizata që ndihmojnë të rinjtë në pesë kontinente.
Këngëtarja dhe aktorja e themeloi Rare Beauty në vitin 2020, duke vendosur që një për qind e shitjeve të produkteve t’i dhurohet fondit. Nisma u frymëzua nga përvojat e saj personale me lupusin dhe çrregullimin bipolar, për të cilat ka folur hapur me synimin që të zvogëlojë paragjykimet rreth shëndetit mendor.
Gomez tregoi se tani po përjeton një periudhë më të qetë dhe të lumtur, pas martesës me producentin Benny Blanco. Ajo thotë se ka mësuar ta ngadalësojë ritmin, të kujdeset për veten dhe të vlerësojë jetën, ndërsa synimi i saj është të vazhdojë me projekte që kanë kuptim dhe ndikim pozitiv.


