Aktorja e njohur hollivudiane Sandra Bullock, 62 vjeçe, ka befasuar ndjekësit duke publikuar fotografi dhe video të rralla me dy fëmijët e saj, Louis, 16 vjeç, dhe Laila, 14 vjeçe. Familja kaloi një ditë argëtuese në Disneyland të Kalifornisë, së bashku me aktorin Josh Holloway, të njohur nga seriali Lost, dhe dy fëmijët e tij.
Në fotografitë e publikuara në Instagram, Bullock shihet duke shijuar atraksionet e parkut, përfshirë Space Mountain dhe Guardians of the Galaxy. Aktorja ndau edhe momente të ëmbla me vajzën e saj, ndërsa krahas fotografive shkroi se ndonjëherë duhet t’i lëmë mënjanë shqetësimet dhe t’ia kujtojmë vetes ndjesinë e të qenit fëmijë.
Sandra Bullock rrallë publikon fotografi të fëmijëve, pasi gjithmonë është përpjekur ta mbrojë privatësinë e tyre. Aktorja adoptoi Louis në vitin 2010 dhe Laila në vitin 2015, ndërsa për disa vite u tërhoq nga aktrimi për t’iu përkushtuar familjes. Këtë vit ajo iu rikthye ekranit me filmin Practical Magic 2.


