Një përballje e pazakontë muzikore në Itali ka tërhequr vëmendjen e publikut: një robot me 53 gishta është ulur përballë një pianisti profesionist për të treguar se kush luan më mirë në piano.
Roboti, i quajtur TeoTronico, është krijuar nga inxhinieri italian Matteo Suzzi dhe është projektuar për të interpretuar kompozime muzikore me saktësi të jashtëzakonshme.
Përballë tij ishte pianisti italian Roberto Prosseda. Gjatë demonstrimit në qytetin Prato, më 12 nëntor, të dy interpretuan pjesë nga kompozitori i njohur Frédéric Chopin, duke luajtur herë veçmas e herë së bashku.
Falë 53 gishtave mekanikë, roboti mund të luajë me ritëm dhe saktësi të lartë. Ai është gjithashtu i pajisur me teknologjinë e inteligjencës artificiale Gemini të Google, e cila i mundëson të zhvillojë biseda dhe të diskutojë për aftësitë e veta muzikore.
Por pianisti Prosseda ka një mendim tjetër. Sipas tij, muzika nuk është vetëm saktësi teknike, por edhe emocion, interpretim dhe lidhje me publikun.
Kjo përballje ka ngritur një pyetje interesante për të ardhmen e artit: A mund të arrijnë makinat të luajnë muzikë në mënyrë të përsosur, por edhe ta emocionojnë publikun njësoj si njerëzit?


