Ndërsa shumica e kompanive ofrojnë zbritje të mëdha për Black Friday, disa marka të njohura kanë vendosur të mos marrin pjesë në këtë ngjarje globale të blerjeve. Marka italiane e modës Pinko këtë vit tërhiqet për herë të parë, duke vlerësuar se zbritjet e vazhdueshme dëmtojnë përfitueshmërinë dhe marrëdhëniet me konsumatorët. Ky vendim pritet t’i kushtojë kompanisë rreth dy milionë euro të ardhura.
Kompania amerikane REI do t’i mbajë dyqanet e mbyllura, duke u dhënë punonjësve një ditë pushimi për ta kaluar në natyrë. Ndërkohë, marka e kozmetikës The Ordinary, në vend të ofertave promocionale, do të organizojë aksione për dhurimin e gjakut në Nju Jork dhe Toronto, duke inkurajuar konsumatorët të shmangin blerjet impulsive.
Ekspertët vërejnë se konsumatorët po bëhen gjithnjë e më skeptikë ndaj zbritjeve të reklamuara dhe kursimeve reale që ato ofrojnë. Për këtë arsye, disa kompani po zgjedhin qëndrueshmërinë mjedisore, ndërtimin e besimit dhe konsumin e përgjegjshëm përpara rritjes afatshkurtër të shitjeve.


