Paraqitja e Michael Jackson gjatë pushimit të Super Bowl të vitit 1993 do të jetë në qendër të një dokumentari të ri. Filmi “Spectacle: Michael Jackson at the Super Bowl”, me regji dhe produksion nga Bao Nguyen, pritet të shfaqet në Hulu dhe ESPN në shkurt të vitit 2027. Përmes pamjeve të papublikuara të këngëtarit dhe ekipit të tij, dokumentari do të zbulojë përgatitjet dhe prapaskenat e këtij spektakli historik.
Në stadiumin Rose Bowl në Pasadena, Jackson interpretoi këngë si “Jam”, “Billie Jean”, “Black or White” dhe “Heal the World”, ndërsa në përfundim iu bashkuan më shumë se 3.000 fëmijë. Hyrja e tij në skenë, ku qëndroi i palëvizur për rreth 90 sekonda mes brohoritjeve të publikut, mbetet një nga çastet më të paharrueshme. Dokumentari do të trajtojë edhe mënyrën se si kjo paraqitje e shndërroi pushimin e Super Bowl në një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës dhe kulturës pop.


