Dy analiza të reja shkencore kanë arritur në përfundimin se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që marihuana, qoftë për përdorim mjekësor apo rekreativ, ndihmon në trajtimin e ankthit, depresionit apo çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD).
Studimet, të publikuara në revista prestigjioze shkencore, analizuan dhjetëra hulumtime të kryera ndër vite dhe nuk gjetën dëshmi se produktet me kanabis, përfshirë CBD dhe THC, sjellin përmirësime të qëndrueshme në shëndetin mendor.
Sipas studiuesve, përdorimi i marihuanës nuk ka treguar përfitime të qarta as për çrregullime të tjera si çrregullimi bipolar, çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD), anoreksia nervore apo çrregullimet psikotike.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i rregullt i marihuanës me përqendrim të lartë të THC-së mund të rrisë rrezikun për probleme serioze të shëndetit mendor, veçanërisht te adoleshentët, të rinjtë dhe personat me predispozitë gjenetike për sëmundje psikiatrike.
Ata theksojnë se marihuana e sotme është shumë më e fuqishme sesa dekada më parë. Përqindja e THC-së është rritur ndjeshëm, gjë që sipas studiuesve mund të shtojë rrezikun e varësisë dhe të komplikimeve psikologjike.
Mjekët rekomandojnë që personat që përballen me ankth, depresion apo probleme të tjera të shëndetit mendor të kërkojnë trajtime të provuara shkencërisht, si terapia kognitive-biheviorale (CBT) dhe trajtimet medikamentoze të përshkruara nga profesionistët e shëndetit mendor.
Megjithëse debati mbi përdorimin mjekësor të kanabisit vazhdon, studiuesit theksojnë se aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme për ta rekomanduar atë si trajtim për shumicën e çrregullimeve mendore.


