John Travolta është një nga emrat më të njohur të kinemasë amerikane, me një karrierë që ka kaluar nga suksesi marramendës, te rënia dhe më pas rikthimi spektakolar.
I lindur më 18 shkurt 1954 në New Jersey, Travolta ishte më i vogli nga gjashtë fëmijë në një familje me ndikim artistik. Në moshën 17-vjeçare la shkollën për t’iu përkushtuar aktrimit në Nju Jork – një vendim që do ta çonte drejt famës botërore.
Pas disa roleve televizive, fama erdhi me filmin “Saturday Night Fever”, ku roli i Tony Manero i solli nominimin për Oscar.
Vetëm një vit më vonë, ai u bë ikonë pop-kulture me rolin e Danny Zuko në “Grease”, një nga muzikalët më të suksesshëm të të gjitha kohërave.
Gjatë viteve ’80, karriera e tij pësoi një rënie me disa projekte që nuk patën sukses. Por rikthimi i madh erdhi në vitin 1994 me rolin e Vincent Vega në “Pulp Fiction” të Quentin Tarantino, një film kult që i solli nominimin e dytë për Oscar dhe e riktheu në majat e Hollivudit.
Pas kësaj, ai vazhdoi me role në filma si Get Shorty, Broken Arrow dhe shumë projekte të tjera.
Në vitin 1991 u martua me aktoren Kelly Preston, me të cilën pati tre fëmijë. Familja përjetoi humbje të mëdha: djali i tyre Jett ndërroi jetë në vitin 2009, ndërsa në vitin 2020 Kelly Preston humbi betejën me kancerin e gjirit.
Pavarësisht dhimbjeve personale, Travolta ka vazhduar të jetë aktiv në industri, me role të reja dhe projekte televizive e filmike.


