Një ekip studiuesish nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego ka zhvilluar një patch të butë që vendoset në majë të gishtit dhe monitoron në kohë reale nivelin e levodopës, ilaçit kryesor për trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit, duke analizuar djersën, pa pasur nevojë për bateri.
Teknologjia e re mund t’u ndihmojë mjekëve të përshtatin më saktë dozat e ilaçit për secilin pacient, pa qenë e nevojshme që ai të kryejë analiza të shpeshta të gjakut ose të vizitojë spitalin.
Levodopa është trajtimi më i përdorur për kontrollin e simptomave motorike të Parkinsonit, por efekti i saj mund të zgjasë gjithnjë e më pak me përparimin e sëmundjes. Kur niveli i ilaçit bie, pacientët mund të përjetojnë rikthim të menjëhershëm të vështirësive në lëvizje, ndërsa një dozë e tepërt mund të shkaktojë lëvizje të pavullnetshme.
Patch-i vendoset në majë të gishtit, zonë që ka shumë gjëndra të djersës. Ai përmban një xhel që thith djersën dhe enzima që reagojnë me levodopën. Ky reagim krijon një sinjal elektrik të vogël, i cili njëkohësisht furnizon pajisjen me energji dhe mat përqendrimin e ilaçit në organizëm.
Në testimet klinike, rezultatet e patch-it ishin të krahasueshme me analizat standarde të gjakut, por me avantazhin se ofron monitorim të vazhdueshëm dhe të menjëhershëm.
Studiuesit besojnë se në të ardhmen kjo teknologji mund të lidhet me pompa automatike të ilaçeve, duke krijuar një sistem inteligjent që monitoron vazhdimisht nivelin e levodopës dhe jep dozën e nevojshme në momentin e duhur.


