Valentino Garavani, themeluesi i modës së lartë “Valentino” dhe një nga ikonat më të mëdha të stilit italian, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare në rezidencën e tij në Romë. Fondacioni i tij njoftoi se dizajneri u nda nga jeta i rrethuar nga të dashurit, ndërsa personalitete të shumta – përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni – e përshkruan si një “simbol të përjetshëm të elegancës”. I njohur thjesht si Valentino, ai ndërtoi perandorinë e tij të modës në vitin 1959 dhe shumë shpejt u bë i preferuari i ikonave si Sophia Loren, Elizabeth Taylor, Jackie Kennedy dhe princesha Diana. Krijimet e tij, veçanërisht “Valentino Red”, një nuancë e kuqe tashmë e regjistruar zyrtarisht, përcaktuan dekada të tëra të modës së lartë.
Pas më shumë se 45 vjetësh në krye të skenës, Valentino u tërhoq në vitin 2007, duke lënë pas një trashëgimi unike estetike dhe kulturore. Jeta e tij u dokumentua edhe në filmin “Valentino: The Last Emperor”, që zbuloi luksin, pasionin dhe përkushtimin e tij ekstrem ndaj artit të couture-it. Megjithëse ndonjëherë ka qenë figurë kontraverse për qëndrimet e tij mbi stilin dhe bukurinë, ndikimi i tij në industrinë globale të modës mbetet i pakrahasueshëm. Vepra e tij vazhdon të jetojë përmes shtëpisë së modës Valentino, sot një nga brandet më të respektuara dhe më të dashura në botën e modës.

