Shumë njerëz besojnë se tetë orë gjumë janë të mjaftueshme për një shëndet të mirë. Megjithatë, një studim i ri amerikan sugjeron se ora kur flemë dhe zgjohemi mund të jetë po aq e rëndësishme sa kohëzgjatja e gjumit, veçanërisht për shëndetin mendor.
Studiuesit nga universitetet e Kalifornisë analizuan të dhënat e rreth 23 mijë personave, të mbledhura përmes unazave inteligjente Oura. Rezultatet treguan se personat me orar të çrregullt gjumi raportonin më shpesh simptoma të depresionit, ankthit dhe vetmisë.
Sipas shkencëtarëve, fjetja dhe zgjimi afërsisht në të njëjtën orë çdo ditë ndihmojnë në ruajtjen e ritmit biologjik të organizmit. Megjithatë, studimi nuk provon se gjumi i çrregullt shkakton drejtpërdrejt probleme të shëndetit mendor, pasi edhe këto probleme mund ta çrregullojnë gjumin.


