Një moment i papritur ka tërhequr vëmendjen gjatë një aktiviteti zyrtar të familjes mbretërore spanjolle. Mbretëresha Letizia, 54 vjeçe, ka rrëshqitur dhe është rrëzuar në kuvertën e një varke, ndërsa po merrte pjesë në një ceremoni në qytetin Llanes të Spanjës.
Ngjarja ndodhi gjatë ndarjes së çmimit “Fshati Shembullor i Asturias 2026”, ku mbretëresha shoqërohej nga bashkëshorti i saj, Mbreti Felipe VI, dhe dy vajzat e tyre, Princesha Leonor dhe Infanta Sofía.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur Letizia humbet ekuilibrin dhe bie në dyshemenë e varkës. Menjëherë, disa persona afrohen për ta ndihmuar, ndërsa vajza e saj 19-vjeçare, Sofía, ishte ndër ata që i erdhën në ndihmë.
Gjatë vizitës, mbretëresha kishte zgjedhur një veshje të thjeshtë, me pulovër ngjyrë bezhë, këmishë të bardhë, xhinse të errëta dhe çizme kafe.
Familja mbretërore ndodhej në Llanes për të nderuar shoqatën lokale të peshkatarëve Santa Ana, për kontributin e saj në ruajtjen e trashëgimisë dhe zhvillimin e komunitetit.
Edhe pse rrëzimi u regjistrua nga kamerat dhe u përhap në media, deri në publikimin e lajmit nuk kishte një deklaratë zyrtare për ndonjë lëndim të mundshëm të mbretëreshës.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje edhe për reagimin e shpejtë të Sofías, e cila u kujdes për nënën e saj në atë moment të papritur.


