Liria e medias vazhdon të mbetet një nga elementet kryesore të funksionimit demokratik në Kosovë, megjithatë sektori medial po përballet me sfida të shumta politike, profesionale dhe ekonomike. Presionet ndaj gazetarëve, gjuha denigruese ndaj mediave dhe mungesa e qëndrueshmërisë financiare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në funksionimin e mediave dhe në cilësinë e informimit publik.
Për këto çështje u diskutua në programin me temë “Liria e medias dhe sfidat e qëndrueshmërisë së sektorit medial në Kosovë”, ku të ftuar ishin Kestrin Kumnova, gazetar, Albina Haliti, gazetare dhe producente televizive, si dhe Kastriot Tahiri, gazetar.
Gjatë diskutimit, mysafirët folën për presionet dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit, ndikimin e gjuhës së ashpër ndaj mediave, fenomenin e vetë censurës dhe ndikimin që kjo ka në lirinë e shprehjes dhe në cilësinë e gazetarisë. Po ashtu, u trajtuan edhe problemet ekonomike të sektorit medial, mungesa e financimit të qëndrueshëm, vështirësitë e mediave lokale për të mbijetuar në tregun kosovar dhe rëndësia e ruajtjes së pluralizmit medial.
Në program u diskutua edhe për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet mediave, forcimin e standardeve profesionale dhe rikthimin e besimit të publikut në media përmes transparencës, profesionalizmit dhe raportimit të paanshëm.


