Regjisorja dhe aktorja kosovare me famë ndërkombëtare, Luana Bajrami, bashkë me ekipin e filmit të saj të ri “Two People Exchanging Saliva”, është ngjitur në skenën prestigjioze të ceremonisë “Oscar”, ku filmi është shpërblyer me çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër”.
Regjisorët e filmit, teksa pranuan trofeun nën emocione të mëdha, përmendën edhe prejardhjen nga Kosova të njërës prej protagonisteve të filmit, Luana Bajrami, duke theksuar se projekti është realizuar nga një ekip i përbërë kryesisht nga gra.
Filmi është një bashkëprodhim mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titullin origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, ku Bajrami interpreton rolin e Malaise, një nga personazhet qendrore të filmit bardhezi. Skenari dhe regjia mbajnë firmën e dyshes Alexandre Singh dhe Natalie Musteata.
Sipas sinopsisit, filmi imagjinon një Paris distopik, ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një grua e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punë në një butik magjepsës, ajo krijon shpejt një lidhje me një klient të pasur, Angine, duke nxitur xhelozinë e mbikëqyrëses së saj.
Filmi paraqitet si një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond të pazakontë dhune të stilizuar. Ai pati premierën në Festivalin e Filmit në Telluride në SHBA dhe fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”, i organizuar nga Instituti Amerikan i Filmit.
Producente ekzekutive të projektit janë aktoret e njohura Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.
Me çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër” është shpërblyer gjithashtu edhe filmi “The Singers”.


