Gjatë valëve të të nxehtit, disa barna që përdoren gjerësisht mund të rrisin rrezikun e dehidratimit, mbinxehjes së organizmit dhe goditjes nga nxehtësia, paralajmërojnë ekspertët shëndetësorë.
Sipas mjekëve, problem nuk paraqesin vetëm temperaturat e larta, por edhe terapitë që shumë persona i marrin çdo ditë. Disa ilaçe mund të ndikojnë në mekanizmat natyrorë të trupit për rregullimin e temperaturës, si djersitja, qarkullimi i gjakut dhe ruajtja e ekuilibrit të lëngjeve.
Ndër barnat që kërkojnë kujdes të shtuar gjatë verës janë antidepresivët, antipsikotikët, beta-bllokuesit, diuretikët, ilaçet për tensionin e lartë, stimulantët për trajtimin e ADHD-së dhe insulina.
Ekspertët theksojnë se këto barna mund të shkaktojnë djersitje të tepërt ose të reduktuar, ulje të tensionit të gjakut, dehidratim, marramendje dhe vështirësi në ftohjen e organizmit. Në disa raste, ato mund të maskojnë ndjenjën e etjes ose simptomat e mbinxehjes.
Personat me diabet duhet të tregojnë kujdes të veçantë, pasi temperaturat e larta mund të ndikojnë në përthithjen e insulinës dhe të rrisin rrezikun e rënies së nivelit të sheqerit në gjak.
Mjekët rekomandojnë që gjatë ditëve me temperatura të larta të konsumohet mjaftueshëm ujë, të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta dhe të monitorohen simptomat si marramendja, lodhja, të përzierat apo konfuzioni.
Ekspertët paralajmërojnë se terapia nuk duhet të ndërpritet në asnjë rast pa konsultim me mjekun. Nëse një person vëren se ilaçet po e bëjnë më të vështirë përballimin e vapës, duhet të kërkojë këshillë nga mjeku ose farmacisti.


