Kanye West ka ringjallur përplasjen e tij të vjetër me Taylor Swift, duke e përmendur si një nga arsyet pse, sipas tij, nuk ka performuar kurrë në skenën madhështore të Super Bowl-it. Në një postim në X (ish-Twitter), i cili u fshi më vonë, Kanye shkroi: “Nuk më është lejuar kurrë të performoj në Super Bowl për shkak të tre momenteve: ‘George Bush nuk i interesojnë njerëzit me ngjyrë’, momenti me Taylor Swift dhe vendosja e kapelës MAGA.”

Rikujtojmë se konflikti i tij me Swift nisi në MTV VMA 2009, kur ai ndërpreu fjalimin e saj për çmimin, duke deklaruar se trofeu duhej t’i jepej Beyoncé-s. Edhe pse Kanye sugjeron se është “përpara kohës së tij” dhe se këto momente i kanë penguar suksesin në Super Bowl, shumë e konsiderojnë përfshirjen e Swift si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë nga deklaratat e tij problematike dhe sjellja ofenduese që ka pasuar ndër vite. Taylor, si gjithmonë, me shumë gjasë do ta “shkundë nga vetja” edhe këtë episod.
