Kamçatka, Rusi – Reshjet rekord të dëborës kanë goditur gadishullin Kamçatka në lindje të Rusisë, duke detyruar autoritetet lokale të shpallin gjendje të jashtëzakonshme. Dëbora ka bllokuar rrugët, ka paralizuar transportin dhe ka krijuar rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
Sipas autoriteteve, në disa zona shtresa e dëborës ka arritur deri në dy metra, ndërsa transporti publik dhe shkollat janë pezulluar. Të paktën dy persona kanë humbur jetën, pasi janë goditur nga masa dëbore që kanë rënë nga çatitë e ndërtesave.
Shërbimet emergjente janë angazhuar në pastrimin e rrugëve dhe ndihmën për banorët, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se kushtet e rënda të motit dhe rreziku nga ortekët mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet zyrtare.

