Modelja dhe sipërmarrësja amerikane Hailey Bieber ka shpjeguar pse nuk e pëlqen termin “anti-aging”, që përdoret gjerësisht në industrinë e bukurisë për produktet kundër plakjes. Në një intervistë për Women’s Wear Daily, 29-vjeçarja tha se plakja është një proces i natyrshëm që nuk duhet parë si diçka negative. “Të gjithë po plakemi, prandaj nuk duhet të jemi kundër kësaj. Duhet thjesht të kujdesemi për veten dhe lëkurën tonë”, u shpreh ajo.
Themeluesja e markës së kozmetikës Rhode promovon konceptin e “plakjes së mençur”, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për lëkurën në çdo moshë. Bieber foli gjithashtu për sfidat shëndetësore që përjetoi pas lindjes së djalit të saj, Jack Blues, duke zbuluar se ishte përballur me çrregullimin disforik premenstrual, i cili mund të shkaktojë simptoma të rënda emocionale. Ajo theksoi se diskutimet e hapura për shëndetin e grave ndihmojnë që ato të ndihen më pak të vetmuara përballë këtyre vështirësive.


