Testamenti i stilistit të njohur Giorgio Armani, i ndarë nga jeta më 4 shtator në moshën 91-vjeçare, zbulon udhëzime të qarta për të ardhmen e markës së tij. Dokumenti i publikuar nga Reuters tregon se trashëgimtarët duhet të shesin fillimisht 15 % të aksioneve brenda 18 muajve, e më pas një pjesë shtesë prej 30 deri 54,9 % brenda tre deri pesë vitesh nga vdekja e tij. Përparësi në blerje u jepet grupeve të mëdha ndërkombëtare të modës dhe kozmetikës ose një konsorciumi që do ta përcaktojë fondacioni i krijuar për ruajtjen e trashëgimisë Armani, i udhëhequr nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë Pantaleo Del’Orco.
Si alternativë, testamenti përmend edhe mundësinë e një listimi në bursë. Këto udhëzime bien në kontrast me qëndrimin e vazhdueshëm të stilistit gjatë jetës, i cili refuzonte të hiqte dorë nga kontrolli i kompanisë ose ta nxirrte në tregun e aksioneve. Me këtë strategji, Armani synon që emri dhe stili i tij të mbeten të mbrojtura, ndërsa marka të ketë siguri dhe rritje të qëndrueshme edhe pas ndarjes së tij nga jeta.