Ndryshimi i orës mund të ndikojë në gjumë, energji dhe humor, edhe pse na jep mundësinë të pushojmë një orë më gjatë. Trupit i duhet kohë për ta përshtatur ritmin biologjik me orarin e ri të fjetjes dhe zgjimit. Te disa njerëz, kjo mund të shoqërohet me përgjumje, lodhje dhe gjumë të çrregullt. Ndërkohë, ditët më të shkurtra dhe ekspozimi më i pakët ndaj dritës natyrale mund të shtojnë plogështinë dhe trishtimin, veçanërisht te personat që përjetojnë depresion sezonal. Megjithatë, jo të gjithë reagojnë njësoj ndaj këtij ndryshimi.
Për ta lehtësuar përshtatjen, ndihmon ruajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit dhe vakteve, aktiviteti fizik dhe dalja në dritën e ditës. Edhe një shëtitje e shkurtër mund të mbështesë rregullimin e orës biologjike dhe të përmirësojë humorin. Organizata Change Mental Health këshillon gjithashtu mbajtjen e kontakteve me miqtë dhe familjen, për të shmangur izolimin gjatë muajve të ftohtë. Nëse ndiheni të tensionuar, frymëmarrja e thellë dhe ushtrimet e relaksimit mund t’ju ndihmojnë të qetësoheni.


