Përdorimi i tepërt dhe i pakontrolluar i telefonave inteligjentë mund të lidhet me problemet e përqendrimit dhe hiperaktivitetin tek adoleshentët. Këtë e ka treguar një studim dyvjeçar, i realizuar me 3.414 nxënës në Kinë, rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën shkencore “Journal of Affective Disorders”.
Studiuesit zbuluan se problemet e përqendrimit dhe hiperaktivitetit ishin më të theksuara tek adoleshentët që kishin vështirësi të kontrollonin përdorimin e telefonit. Megjithatë, studimi nuk provon se telefonat shkaktojnë çrregullimin e deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD), pasi faktorë të tjerë, si mungesa e gjumit dhe stresi familjar, mund të ndikojnë gjithashtu.
Ekspertët këshillojnë prindërit të mos përqendrohen vetëm te koha e kaluar para ekranit, por edhe te ndikimi i telefonit në jetën e përditshme të fëmijëve. Nervozizmi në mungesë të telefonit, rënia e rezultateve në shkollë dhe reduktimi i aktiviteteve sociale janë disa nga shenjat paralajmëruese.


