Europa po humbet garën globale për zhvillimin e teknologjive kyçe digjitale dhe rrezikon të mbetet plotësisht e varur nga infrastruktura e kompanive amerikane – është paralajmërimi i fortë i Miguel de Bruycker, drejtor i Qendrës Belgjike për Siguri Kibernetike, në një deklaratë për Financial Times.
Sipas tij, kontinenti nuk kontrollon më komponentët më kritikë të infrastrukturës digjitale, nga shërbimet cloud dhe rrjetet sociale, deri te kabujt nënujore dhe qendrat e të dhënave. “E kemi humbur të gjithë cloud-in. E kemi humbur internetin, të jemi realistë. Ideja që të dhënat të jenë 100% brenda BE-së është thjesht e parealizueshme”, tha ai.
De Bruycker thekson se diskutimet për “sovranitet digjital” në BE mbeten kryesisht retorike, ndërsa politikat aktuale shpesh fokusohen në kufizimin e kompanive amerikane, në vend të ndërtimit të kapaciteteve evropiane reale. Ai nënvizon se qasja rregullatore e BE-së shpesh ngadalëson inovacionin, në vend që ta nxisë atë.
Ndërkohë, teknologjitë kyçe si cloud computing dhe inteligjenca artificiale – thelbësore për mbrojtjen kundër sulmeve moderne kibernetike – po zhvillohen me ritme shumë më të shpejta në SHBA dhe gjetkë. Europa, përkundrazi, mbetet prapa.
De Bruycker foli edhe për sulmet e shpeshta kibernetike ndaj Belgjikës, kryesisht të lidhura me grupe pro-ruse. Sipas tij, shumica e këtyre sulmeve nuk kanë synim të shkaktojnë dëm të madh, por përdorin pajisje të komprometuara për të mbingarkuar faqet zyrtare dhe shërbimet e institucioneve, shpesh si reagim ndaj deklaratave politike të BE-së kundër Rusisë.


