Egjipti ka nisur një nga projektet më ambicioze në historinë e tij moderne. Me një investim prej rreth 15 miliardë dollarësh, vendi po ndërton një sistem gjigant kanalesh artificialë, të njohur si “Nili i Ri”, që synon të sjellë ujë në pjesët perëndimore të vendit dhe të kthejë mijëra kilometra katrorë shkretëtirë në tokë të punueshme.
Megjithëse emri sugjeron krijimin e një lumi të ri, në realitet bëhet fjalë për një rrjet kompleks kanalesh, tubacionesh dhe stacionesh pompimi, pjesë e projektit New Delta, i cili synon të rrisë prodhimin bujqësor, të përmirësojë sigurinë ushqimore dhe të ulë varësinë e Egjiptit nga importet.
Një nga sfidat më të mëdha inxhinierike ka qenë transportimi i ujit drejt zonave të larta shkretinore. Për këtë janë ndërtuar 13 stacione të mëdha pompimi, të cilat e ngrejnë ujin deri në rreth 100 metra mbi nivelin e detit, përpara se ai të shpërndahet në zonat që do të vaditen.
Për të shmangur humbjet nga avullimi në temperaturat e larta të shkretëtirës, një pjesë e ujit transportohet përmes tubacioneve të mëdha nëntokësore.
Një rol kyç në projekt ka impianti El Hamam, i konsideruar si impianti më i madh në botë për pastrimin e ujit. Ai ka kapacitet të përpunojë deri në 7.5 milionë metra kub ujë në ditë, duke e bërë të mundur ripërdorimin e ujërave për vaditjen e tokave të reja bujqësore.
Ndryshe nga sa mund të mendohet, pjesa më e madhe e ujit nuk merret nga lumi Nil. Projekti mbështetet kryesisht në ujërat e ricikluara nga sistemet e kullimit bujqësor, si edhe në rezervat e ujërave nëntokësore të thella në shkretëtirë.
Megjithatë, pikërisht ky burim i dytë ka ngritur shqetësime te ekspertët. Një pjesë e projektit mbështetet te të ashtuquajturat akuifere fosile, rezerva ujore të krijuara mijëra vite më parë, të cilat praktikisht nuk rigjenerohen.
Sipas specialistëve, nëse këto rezerva shfrytëzohen me ritme të larta, ato mund të shterojnë, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë të projektit. Në një skenar të tillë, zonat që sot synohen të gjelbërohen mund të rikthehen sërish në shkretëtirë.
Projekti konsiderohet jetik për Egjiptin, pasi vendi siguron rreth 97 për qind të burimeve të tij ujore nga lumi Nil, ndërsa popullsia është rritur nga rreth 60 milionë banorë disa dekada më parë në mbi 120 milionë sot. Kjo ka rritur ndjeshëm kërkesën për ujë dhe ushqim, duke e bërë zgjerimin e sipërfaqeve të punueshme një prioritet kombëtar.


