Legjenda e Hollywood-it Dustin Hoffman ka folur me shumë vlerësim për aktorin e ri Leo Woodall, me të cilin luan në filmin e ri thriller “Tuner”. Në një intervistë për People, Hoffman tha se të dy krijuan menjëherë një raport shumë të afërt gjatë xhirimeve dhe se ndanin të njëjtin sens humori.
Hoffman zbuloi se fillimisht mendonte se Woodall ishte amerikan për shkak të theksit të tij perfekt në film, ndërsa më pas mbeti i surprizuar kur mësoi se aktori është britanik. “Kishim personalitete të ngjashme dhe qeshnim me të njëjtat shaka”, tha aktori 88-vjeçar për kolegun e tij 29-vjeçar.
Filmi “Tuner” ndjek historinë e një akorduesi pianosh me dëgjim jashtëzakonisht të ndjeshëm, talent që më vonë e përfshin në botën e krimit dhe hapjes së kasafortave. Për rolin, Woodall dhe aktorët e tjerë kaluan muaj të tërë në trajnim pianoje për të performuar live gjatë xhirimeve.


