Sot shënohet Dita Botërore e Radios, nën sloganin e këtij viti: “AI është mjet, jo zë”. Sipas të dhënave ndërkombëtare, radio mbetet mediumi me nivelin më të lartë të besimit nga publiku, pavarësisht zhvillimeve të shpejta teknologjike.
Kjo datë u shpall zyrtarisht nga UNESCO në vitin 2011, ndërsa u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2012. Ajo lidhet me 13 shkurtin 1946, kur filloi transmetimin Radio e Kombeve të Bashkuara.
AI – ndihmë, jo zëvendësim
Sipas UNESCO-s, inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet i fuqishëm për inovacion, por besimi ndërtohet nga gazetarët dhe stacionet radiofonike, jo nga teknologjia. Kur përdoret në mënyrë etike dhe profesionale, AI mund të forcojë cilësinë dhe kredibilitetin e përmbajtjes.
Radio – mediumi më i besuar
Sipas raportit “Trust in Media 2025” të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), në 61% të vendeve në botë ekziston më shumë mosbesim sesa besim ndaj mediave. Megjithatë, radio gëzon besim në 81% të vendeve evropiane, duke u renditur si mediumi më i besueshëm krahas televizionit dhe mediave të shtypura.

