Kur përmendim Australinë, zakonisht mendojmë për gjarpërinj helmues, merimanga vdekjeprurëse, krokodilë apo peshkaqenë. Megjithatë, një studim i kryer mes viteve 2001 dhe 2021 ka zbuluar një fakt befasues: më shumë viktima se të gjitha këto kafshë së bashku shkaktohen nga – kuajt. Në këtë periudhë janë regjistruar plot 713 vdekje nga rëniet gjatë kalërimit, duke i bërë kuajt kafshën më të rrezikshme në kontinent.
Pas tyre vijnë bagëtitë me 92 raste fatale, ndërsa në vend të tretë renditen qentë. Vetëm në vendin e katërt shfaqen kafshët vendase si kangurët, të cilët kryesisht shkaktojnë aksidente në trafik. Gjarpërinjtë, bletët, peshkaqenët e deri te krokodilët kanë shkaktuar më pak raste. Studimi thekson një përfundim të thjeshtë: shpesh më të rrezikshme për njeriun janë pikërisht kafshët me të cilat jetojmë dhe kalojmë më shumë kohë.