Një hulumtim i ri i agjencisë Reuters ka zbuluar detaje për lidhjet e financierit amerikan Jeffrey Epstein me Rusinë, nga rekrutimi i vajzave të reja deri te përpjekjet për t’u afruar me oligarkë dhe zyrtarë të lartë rusë.
Sipas hulumtimit, Epstein përdorte rrjete të agjencive të modelimit për të rekrutuar vajza dhe gra të reja nga ish-Bashkimi Sovjetik. Gazetarët kanë identifikuar të paktën 17 gra të përfshira në rrjetin e tij të shfrytëzimit seksual.
Pas dënimit të vitit 2008 për vepra të lidhura me prostitucionin, përfshirë një të mitur, Epstein nisi t’i shihte lidhjet me njerëz të fuqishëm në Rusi si mundësi për të rikthyer reputacionin dhe ndikimin e tij.
Ai kishte kontakte me biznesmenë të pasur rusë dhe u përpoq disa herë të siguronte një takim me presidentin Vladimir Putin. Megjithatë, Reuters nuk gjeti prova se një takim i tillë ishte realizuar.
Një nga detajet më të pazakonta është vizita e Epstein në vitin 1998 në Sarov, qytet rus dikur sekret, i lidhur me programin bërthamor sovjetik.
Pavarësisht dyshimeve që kanë qarkulluar ndër vite, hulumtimi nuk ka gjetur prova se Epstein punonte për inteligjencën ruse apo në emër të qeverisë së Rusisë.


