Bruno Mars shkaktoi një bum global me turneun e tij “The Romantic Tour”, duke shitur plot 2.1 milionë bileta brenda një dite, shifra më e larta ndonjëherë për Live Nation në SHBA, Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kërkesa e jashtëzakonshme detyroi organizatorët të shtojnë 32 data të reja, duke e çuar turneun në 70 koncerte stadiumesh. DJ Pee-Wee, Victoria Monet, RAYE dhe Leon Thomas do t’i bashkohen artistit si të ftuar specialë.
Interesi u rrit edhe më tej pasi Mars njoftoi albumin e tij të ri solo “The Romantic”, i pari pas dhjetë vitesh, që publikohet më 27 shkurt. Sipas Forbes, ylli i popit fitoi rreth 31 milionë dollarë në vitin 2025, duke e renditur ndër muzikantët më të paguar të vitit. Kthimi i tij në skenë pas turneut “24K Magic” më 2016 shpjegon entuziazmin e madh të fansave, të cilët duket se mezi kanë pritur rikthimin e një prej performuesve më karizmatikë të dekadës.

