Blue Origin, kompania e Jeff Bezos, ka njoftuar se do të ndalojë fluturimet turistike me raketën New Shepard për të paktën dy vjet, në mënyrë që të përqendrojë të gjitha burimet në misionin strategjik: kthimin e astronautëve në Hënë përmes programit Artemis të NASA-s. Kompania theksoi se ky vendim pasqyron angazhimin për të krijuar një prani të qëndrueshme hënore dhe për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjisë që do të përdoret në misionet e ardhshme drejt Hënës dhe më tej, drejt Marsit.
Që prej vitit 2021, Blue Origin ka dërguar 98 persona në hapësirë, përfshirë Jeff Bezos, aktorin William Shatner dhe këngëtaren Katy Perry. Por turizmi hapësinor ka marrë kritika për koston e lartë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet e kufizuara shkencore. Tani kompania po hedh një hap të madh strategjik, duke lënë mënjanë turizmin elitist për të ndërtuar kapitullin e ardhshëm të eksplorimit hapësinor, rikthimin e njeriut në sipërfaqen e Hënës pas më shumë se pesë dekadash.

