Në ndeshjen e madhe kundër Real Madridit më 26 tetor, futbollistët e Barcelonës do të zbresin në fushë me logon e albumit të ri të këngëtarit britanik Ed Sheeran në fanellat e tyre. Në pjesën e përparme do të shkruhet “Play”, titulli i albumit të tij të tetë, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Barcelonës dhe Spotify.
Ky projekt vazhdon traditën e mëparshme të fanellave të veçanta që kanë promovuar artistë si The Rolling Stones, Coldplay dhe Drake. Sheeran, i cili është një adhurues i madh i futbollit dhe bashkëpronar i klubit anglez Ipswich Town, u shpreh i nderuar për këtë bashkëpunim. Edhe sulmuesi i Barcelonës, Robert Levandovski, tha se është i lumtur, pasi disa nga këngët e Sheeran janë ndër më të dëgjuarat në dhomat e zhveshjes së ekipit.