Regjisori James Cameron ka zbuluar se kapitulli i ardhshëm i sagës “Avatar” do t’u sjellë sfida të reja personazheve kryesorë në Hënën Pandorë. Gjatë CinemaCon në Las Vegas, kompania Walt Disney prezantoi pamjet e para të filmit që pritet të dalë në dhjetor. Sam Worthington dhe Zoe Saldaña rikthehen në rolet e Jake Sully dhe Neytiri, ndërsa Cameron deklaroi nga Zelanda e Re se familja Sully “ka kaluar shumë” në këtë vazhdim.
Ata përballen jo vetëm me pushtuesit njerëzorë, por edhe me një klan të ri armik, të njohur si “Populli i Hirit”. Ndërkohë, filmi do të prezantojë edhe “Tregtarët e Erës” – një fis paqësor dhe nomad që lëviz nëpër ajër. Cameron shpreson se filmi do të nxisë rikthimin e audiencës në kinema, duke ndihmuar industrinë të rikuperohet nga ndikimi i pandemisë dhe rritja e platformave streaming.