Piloti 40-vjeçar pakistanez Muhammad Zeeshan Ali pritet të bëhet astronauti i parë i huaj që udhëton me një anije kozmike kineze drejt stacionit hapësinor Tiangong. Nisja e misionit Shenzhou-24 është planifikuar për 25 nëntor 2026, ndërsa ekuipazhi përfshin edhe dy astronautë kinezë.
Ali pritet të qëndrojë rreth një javë në hapësirë, ku do të marrë pjesë në eksperimente shkencore në fushën e bioteknologjisë dhe shkencës së materialeve. Për realizimin e këtij misioni, ai iu nënshtrua një trajnimi intensiv, që përfshinte edhe mësimin e gjuhës kineze.
Misioni shënon një moment historik në bashkëpunimin hapësinor ndërmjet Kinës dhe Pakistanit. Para nisjes, astronauti deklaroi se me vete do të bartë shpresat dhe ëndrrat e miliona bashkëkombësve të tij. Ai shpreson që ky udhëtim të hapë rrugën për misione të përbashkëta drejt Hënës dhe Marsit.


