Arthur Miller në incizime të papublikuara më parë ka folur hapur për martesën e tij të trazuar me Marilyn Monroe, duke treguar se kishte ndjesinë se aktorja jetonte vazhdimisht pranë tragjedisë dhe se “vdekja ishte gjithmonë mbi supin e saj”.
Bisedat, të zhvilluara për afro tri dekada me mikun dhe biografin e tij Christopher Bigsby, janë publikuar në librin The Arthur Miller Tapes: A Life in His Own Words. Në to, Miller flet për dashurinë, famën, Hollywood-in, frikën dhe problemet personale që shënuan jetën e tyre.
Dramaturgu rrëfeu se gjatë martesës kishte frikë të vazhdueshme për gjendjen psikologjike të Monroe-s dhe përdorimin e barnave.
“Një herë solla mjekë që t’ia pastronin stomakun sepse kishte marrë aq shumë drogë sa mund të vdiste.”
Sipas tij, Monroe kërkonte një partner që të ishte njëkohësisht “baba, dashnor, mik dhe agjent”, ndërsa ai pranoi se nuk ishte i përgatitur për një marrëdhënie të tillë. Ai tha se aktorja kishte shumë pak stabilitet emocional dhe se me kalimin e kohës zhvilloi paranojë, duke besuar se njerëzit po e shfrytëzonin ose donin ta dëmtonin.
Çifti nisi lidhjen në vitin 1955 dhe u martua një vit më vonë, por marrëdhënia filloi të prishej shpejt. Gjatë xhirimeve të filmit The Misfits, të cilin Miller e kishte shkruar posaçërisht për Monroe-n, martesa e tyre pothuajse përfundoi.
“Ne nuk flisnim më me njëri-tjetrin. Nuk kishte mënyrë si t’i afrohesha”, tha ai.
Miller foli edhe për përpjekjet e dhimbshme të çiftit për të pasur fëmijë, pas abortit spontan dhe shtatzënisë jashtë mitre që Monroe kishte përjetuar. Ai mendonte se ajo e idealizonte mëmësinë, por një fëmijë do të ishte një barrë shtesë emocionale për shkak të presionit të madh nën të cilin jetonte.
Përveç Monroe-s, Miller në incizime foli edhe për jetën e tij personale, suksesin e madh të dramës Death of a Salesman, presionin politik gjatë periudhës së makartizmit dhe krijimin e dramës The Crucible, e frymëzuar nga ndjekjet antikomuniste në SHBA.
Duke folur për famën, ai tha:
“Fama është një formë pushteti që është seksuale, ose të paktën në mënyrë të nënkuptuar seksuale.”
Këto incizime japin një pamje intime të jetës së një prej dramaturgëve më të mëdhenj amerikanë dhe marrëdhënies së tij me një nga ikonat më të famshme të Hollywood-it, duke zbuluar se si fama, dashuria dhe problemet personale ndikuan në jetën e tyre.


